Kur autoritetet iraniane hoqën prizën nga interneti në vitin 2019 mes protestave antiqeveritare, komuniteti ndërkombëtar u përpoq të gjurmonte masakrën civile që pasoi.
Populli i Iranit kishte dalë në rrugë për të protestuar pasi çmimet e karburantit u rritën deri në 300% brenda natës. New York Times raportoi atëkohë se “nga 180 deri në 450 njerëz, dhe madje edhe më shumë” kanë vdekur gjatë katër ditëve të dhunës, me mijëra të lënduar dhe të arrestuar, ndërkohë që vendi ishte zhytur thellë në errësirë digjitale. Reuters, në dhjetor të vitit 2019, raportoi se 1 mijë e 500 njerëz u vranë gjatë një periudhe dyjavore trazirash.
Tani, disa shqetësohen se historia mund të përsëritet në mes të trazirave të përtëritura civile. Protestuesit kanë vërshuar rrugët ditët e fundit pasi Mahsa Amini, një 22-vjeçare, vdiq ndërsa ishte në paraburgim nga policia morale e Teheranit. Zyrtarët iranianë thanë se ajo pësoi sulm në zemër, por familja e saj ka thënë se ajo nuk kishte ndonjë sëmundje paraekzistuese të zemrës.
“Nuk e kam idenë se çfarë i kanë bërë asaj”, tha babai i saj, Amjad Amini, për BBC Persia.“Gjithçka është gënjeshtër”.
Rrjetet celulare janë mbyllur kryesisht, sipas mbikëqyrësit të internetit Netblocks. Dhe Meta ka konfirmuar se iranianët kanë probleme me qasje në disa prej aplikacioneve të saj, përfshirë WhatsApp dhe Instagram. Ndërsa nuk është mbyllja totale e internetit e vitit 2019, ekspertët e teknologjisë thonë se po shohin një model të ngjashëm.
“Nuk ka diçka që do të na bënte të mendojmë se kjo është e rastësishme”, tha Doug Madory, drejtor i analizës së internetit në kompaninë e inteligjencës së rrjetit Kentik, Inc.
Alp Toker, drejtori i Netblocks, tha se “ndikimet e këtyre ndërprerjeve nuk mund të mbivlerësohen”.
Në fillim të kësaj jave, Netblocks tha se populli iranian tani është subjekt i “kufizimeve më të rënda të internetit që nga masakra e nëntorit të vitit 2019”.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se të paktën tetë persona janë vrarë në protesta që po mbahen pas vdekjes së Aminit dhe po i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar – dhe sektorit të teknologjisë, veçanërisht – të bëjnë më shumë për të mbështetur popullin iranian./UBTNews/