Disa nga aplikacionet e faqet më të mëdha në botë, përfshirë Amazon, Google, Snapchat, Roblox, dhe Canva u goditën nga një ndërprerje teknologjike të hënën në mëngjes, duke shkaktuar probleme për miliona përdorues anembanë botës.
Sipas faqes së monitorimit Down Detector, problemet nisën rreth orës 09:00 të mëngjesit (CET) dhe u përhapën shpejt në platforma të shumta që mbështeten në Amazon Web Services (AWS) – një nga ofruesit më të mëdhenj të infrastrukturës cloud në botë.
Shkaku i ndërprerjes
AWS, që u ofron kompanive akses në serverë, ruajtje dhe baza të dhënash pa nevojën e ndërtimit të infrastrukturës së tyre fizike, raportoi se deri në orën 12:35 pasdite (CET) problemi ishte “zbutur plotësisht” dhe se shumica e shërbimeve ishin në proces rikuperimi.
Ndërprerja preku një gamë të gjerë faqesh dhe aplikacionesh, nga lojërat online deri te shërbimet qeveritare dhe financiare.
Platformat e prekura
Sipas Down Detector, ndër platformat e goditura ishin: Snapchat, Slack, Signal, Tinder, Ring, Roblox, Clash Royale, Life360, MyFitnessPal, Xero, Canva, Amazon, Amazon Web Services, Amazon Music, Prime Video, Clash of Clans, Fortnite, Wordle, Duolingo, Coinbase, HMRC, Vodafone, PlayStation dhe Pokémon Go.
Po ashtu, ndërprerja ndikoi edhe tek ofruesit francezë të telekomunikacionit SFR dhe Free, si dhe tek autoriteti tatimor britanik HMRC.
Platforma e kriptomonedhave Coinbase siguroi klientët e saj se “të gjitha fondet janë të sigurta”, pavarësisht problemeve të aksesit.
Ndikim global dhe në transportin ajror
Gazeta The New York Times raportoi se ndërprerja preku edhe udhëtimet ajrore në SHBA, me vonesa të gjata në sportelet e regjistrimit në Aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut, pasi disa kioska dhe sisteme digjitale dolën jashtë funksionit.
Disa orë pas incidentit, Down Detector vuri re një ulje të ndjeshme të raportimeve për probleme, duke treguar se shumica e shërbimeve ishin rikthyer në normalitet. /A.Z/UBT News/