Arti që thyen kufijtë dhe bashkon popujt u bë realitet për regjisoren e njohur nga Kosova, Prof. Ass. Dr. Marigona Bekteshi Ferati, e cila u nderua me çmim të veçantë në edicionin e 7-të të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Qerthag të Tunizisë.

Profesoresha e UBT-së, e cila njihet për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në fushën e artit dhe kulturës, u vlerësua me Plaketën e Nderimit, shoqëruar me fjalë mirënjohjeje dhe respekti nga organizatorët e festivalit. Në tekstin e plaketës theksohej:
“Ju keni dhënë dhe vazhdoni të jepni pa kufij. Historia e afërt dhe e largët dëshmon për sukseset madhore që keni arritur, duke e gdhendur emrin tuaj me shkronja ari në historinë e artit dhe kulturës“.
Vetë Bekteshi Ferati u shpreh thellësisht e nderuar për këtë vlerësim ndërkombëtar, duke e konsideruar si një dëshmi të fuqisë së artit për të ndërtuar ura kulturore dhe për të përfaqësuar denjësisht Kosovën në skenat botërore.
“Ky çmim është për mua jo vetëm shpërblim, por edhe shtysë për të vazhduar misionin tim artistik me përkushtim e dashuri. Përfaqësimi i Kosovës në këtë festival prestigjioz është dëshmi e rolit të artit si diplomaci kulturore dhe e zërit të fuqishëm që skena jonë mund të ketë në nivel ndërkombëtar”, deklaroi ajo.
UBT, si institucion i cili promovon talentet dhe përkrah zhvillimin profesional e kulturor të stafit akademik, e konsideron këtë arritje si një sukses të përbashkët dhe një shembull frymëzues për të gjithë studentët dhe artistët e rinj.
Ky nderim për Marigona Bekteshi Feratin është një tjetër dëshmi se arti kosovar po zë vendin e merituar në hartën kulturore ndërkombëtare, falë figurave të përkushtuara që nuk ndalen së kontribuuari në promovimin e vlerave të vërteta artistike.