UBT News

Nderohet me mirënjohje familja e dëshmorit Isuf Ferizi, Rama: Dëshmorët mbesin shtylla e lirisë

Në përvjetorin e vrasjes së dëshmorit Isuf Ferizi, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nderoi me mirënjohje familjen e dëshmorit për kontributin e madh që ai dhe të gjithë dëshmorët dhanë për lirinë e Kosovës.

Në një ceremoni të organizuar me këtë rast, kryetari Rama theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtimit dhe vlerësimit të kontributit të dëshmorëve. Ai shtoi se dëshmorët janë “shtylla e lirisë” dhe se institucionet kanë përgjegjësinë të mos i harrojnë kurrë ata. “Duke ju falënderuar dëshmorëve, vëllaut tuaj, sakrificave të tyre, sot jemi në këtë gjendje. Jemi falënderues përjetë për sakrificën. Ju kemi ftuar se nuk ju harrojmë as si institucion dhe as si popull”, tha Rama, duke shtuar se është krijuar një zyrë që merret me kontributet e dëshmorëve dhe që ka për qëllim ruajtjen e kujtimit të tyre të përjetshëm.

Nga ana e tij, vëllai i dëshmorit, Faik Ferizi, falënderoi për përkujdesjen institucionale dhe shprehu mirënjohjen për nderimin që po i bëhej familjes. Ai shtoi se për 26 vjet, familja e tij nuk ishte ftuar për të nderuar dëshmorin, duke theksuar se kishte menduar se do të harrohej. “Faleminderit për vullnetin tuaj për të na nderuar. Janë bërë 26 vjet. Kam menduar që na keni harruar krejt,” u shpreh Faiku.

Kjo ceremoni shënoi një moment të rëndësishëm për përkujdesjen dhe nderimin e kujtimit të dëshmorëve të Kosovës./UBTNews/

Exit mobile version