Një punëtor ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim në lagjen Veternik të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 10:30. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë atyre.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet Xh.Sh., nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarë okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Prokurori i çështjes pritet të shqyrtojë, brenda afatit ligjor, mundësinë e kërkimit të ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarit./A.K/
