UBT News

Ndalohet importi i shpezëve dhe produkteve të tyre nga Italia

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar se ndalon përkohësisht importin e shpezëve, kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre me origjinë nga zonat e infektuara të Italisë.

Vendimi vjen pas raportimeve të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian, të cilat konfirmojnë përhapjen e gripit të shpezëve (Avian Influenza – H5N1) në rajonet Emilia-Romagna dhe Lombardia.

Sipas AUV-së, importet lejohen vetëm nëse produktet vijnë nga ferma të pa prekura, të paktën 50 kilometra larg zonave të infektuara. Ndalesa hyn në fuqi menjëherë dhe do të qëndrojë aktive deri në një vlerësim të ri të situatës.

AUV njofton se po e monitoron nga afër situatën dhe do të informojë publikun dhe bizneset për çdo zhvillim të ri./EO

Exit mobile version