Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se janë ndaluar katër persona, dy prej të cilëve janë zyrtarë të të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Bëhet fjalë për personat me inicialet J.H., A.F., B.G., me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe personi me inicialet H.H., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Pranimi i rryshfetit në sektorin privat”.
“Dy nga të lartcekurit, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dyshohen se kanë keqpërdorë pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit të lëshuara nga prokurori i rastit, janë arrestuar katër të dyshuarit nga Policia e Kosovës dhe me aktvendim të prokurorit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë nën këtë masë”, njofton Prokuroria./UBTNews