Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve të kryera në Pikën Kufitare Vërmicë gjatë vikendit, zyrtarët doganor kanë parandaluar disa raste të hyrjes së mallrave të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit bazuar në analizat e riskut dhe sjelljet e dyshimta të disa udhëtarëve, janë selektuar për kontroll të dytë disa automjete, nga të cilat janë identifikuar mallra që nuk ishin deklaruar sipas legjislacionit doganor në fuqi.
“Në të gjitha rastet, personat përgjegjës kanë deklaruar se nuk posedonin fatura për mallin, ose kanë paraqitur dokumentacion të pjesshëm dhe jo të mjaftueshëm për arsyetuar sasinë e mallrave te transportuara“, thuhet në njoftim.
Mallrat e ndaluara përfshijnë:
Produkte tekstile në sasi prej gjithsej 200 copë
Produkte ushqimore në peshë totale prej 140.72 kg
Produkte kozmetike dhe parfume, përfshirë dhe artikuj të ndryshëm
CD për lojëra (PS5)
Mallra të ndryshme të përziera, gjithsej 104 artikuj, nga të cilat një pjesë nuk ishin të pajisura me dokumentacion përkatës
Për të gjitha rastet është iniciuar procedurë kundërvajtëse, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Dogana e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit ekonomik të vendit. Udhëtarët inkurajohen të respektojnë obligimet ligjore për deklarimin e saktë të mallrave gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës./D.B/KP