UBT News

Ndalohen 30 mijë euro të padeklaruara në Bërnjak

Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar futjen e një shume të konsiderueshme parash të padeklaruara në territorin e Kosovës.

Rasti është zbuluar në pikën kufitare Bërnjak, ku për kontroll është përzgjedhur një automjet me targa të huaja, i cili po hynte në Kosovë.

Sipas Doganës, gjatë intervistimit, udhëtari ka deklaruar se nuk kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar. Megjithatë, pas dyshimeve të krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët kanë kontrolluar automjetin dhe udhëtarin.

Gjatë kontrollit, në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e automjetit janë gjetur 30 mijë e 550 euro para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar.

Dogana ka rikujtuar se, sipas Nenit 33 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart 10 mijë euro ose më shumë, është i obliguar të deklarojë me shkrim shumën e parave dhe burimin e tyre të verifikueshëm pranë zyrtarit doganor./A.K/

Exit mobile version