Prokuroria në Pejë ka njoftuar se ka ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimit, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Mbrëmë janë bastisur disa lokacione, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar rreth tre kilogram narkotikë të llojit marihuanë, janë sekuestruar rreth katërmbëdhjetë mijë euro para kesh, një veturë e tipit “Audi Q5”, një armë zjarri dhe telefonat e të pandehurve.
“Pejë, 9 shtator 2022 – Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Narkotikëve, ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimit, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria njofton se mbrëmë si rezultat i veprimeve hetimore, janë bastisur disa lokacione, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar rreth tre (3) kilogram narkotikë të llojit marihuanë, janë sekuestruar rreth katërmbëdhjetë (14) mijë euro para kesh, një veturë e tipit “Audi Q5”, një armë zjarri dhe telefonat e të pandehurve. Prokuroria Themelore e Pejës, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për shqiptimin e masës për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale. Vlen të theksohet se gjatë kësaj jave, në tre raste të ndryshme kjo prokurori në koordinim me Policinë e Kosovës ka ndaluar shtatë (7) persona për shitjen, shpërndarjen dhe kultivimin e narkotikëve”, njofton prokuroria.