UBT News

Ndalja e internetit po rëndon jetën e iranianëve në kohë lufte

Mbi 54 ditë më parë është ndërprerë qasja në internet në Iran, duke e bërë këtë një nga ndërprerjet më të gjata të komunikimeve në nivel kombëtar në historinë moderne. Kjo periudhë krahasohet me rastin e Libisë gjatë Pranverës Arabe në vitin 2011, kur interneti kishte qenë i bllokuar për rreth gjashtë muaj, por me një popullsi shumë më të vogël.

Ekspertët e rrjetit NetBlocks e kanë përshkruar këtë situatë si një rast “të paparë për nga përmasa dhe ashpërsia në komunikimet e një shoqërie”. Sipas të dhënave, trafiku ndërkufitar i internetit në Iran ka rënë në nivele minimale, duke e bërë pothuajse të pamundur qasjen e qytetarëve në shërbime dhe platforma ndërkombëtare.

Ndërprerja filloi më 28 shkurt, menjëherë pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Ndryshe nga bllokimet e mëparshme, këtë herë autoritetet kanë aplikuar një sistem “selektiv” të qasjes në internet, duke u lejuar lidhje vetëm institucioneve dhe individëve të përzgjedhur.

Po ashtu është krijuar edhe një skemë me pagesë e quajtur “Internet Pro”, e cila u mundëson bizneseve dhe akademikëve qasje të kufizuar në internet, duke u kritikuar si ndarje e shoqërisë në nivele digjitale.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar këtë situatë si “errësirë digjitale”, duke theksuar se qasja në internet është e drejtë themelore, sidomos në kohë konflikti.

Sipas vlerësimeve, ndërprerja ka shkaktuar humbje të mëdha ekonomike dhe rrezikon qindra mijëra vende pune në sektorin digjital, ndërsa ekspertët paralajmërojnë pasoja afatgjata për ekonominë dhe shoqërinë iraniane,raporton Radio Evropa e Lirë.

Exit mobile version