Ndalesën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për të hyrë në Serbi, analistët politik e konsiderojnë si veprim të ulët nga pala serbe. Ndërkaq kërkojnë nga institucionet kosovare që mos të veprojnë njëjtë siç ka bërë Serbia, teksa thonë se duhet të shpërfaqet fytyra e vërtetë e Kosovës, të cilat thonë se është për fqinjësi të mirë e bashkëpunimit rajonal.
Analisti politik, Gazmir Raci thotë se Kosova e Serbia duhet të sillen më ftohtë pikërisht në fazën nëpër të cilën po kalon dialogu.
“Po ishte veprim i ulët politik i Serbisë që natyrisht do të ketë efekt negativ në procesin e dialogut. Kosova dhe Serbia në këto momente në të cilat po kalon dialogu duhet të sillen më ftohtë dhe duhet të japin më shumë opsion dhe mundësi dialogut. Nuk është mirë që me veprime të tilla ta minojnë fazën nëpër të cilën po hyjmë në dialogun e Brukselit”, u shpreh Raci.
“Kosova gjithmonë duhet të tregojë se është në favor të bashkëpunimit rajonal, paqes dhe mirëbesimit për dialogun nëpër të cilën po kalojmë. Kosova deri tash e ka zbatuar marrëveshjen për të cilën jemi dakorduar në dialog mbi realizimin e vizitave të ndryshme zyrtare anasjelltas, andaj edhe Serbia duhet ta zbatojë atë për çka është pajtuar më herët në Bruksel, që vizitat e zyrtarëve të lartë duhet të jenë të koordinuara dhe të organizuara mirë, në mënyrë që mos të ketë eksese gjatë realizimit të tyre”, deklaroi ai.
Teksa ka folur për këtë veprim të Serbisë, Raci ka thënë se Kosova nuk duhet të veprojë njëjtë, duke thënë se autoritetet kosovare kanë dëshmuar bashkëpunim të mirë.
“Kosova nuk duhet të ketë veprime të njëjta sikurse që i ka Serbia. Kosova duhet ta tregojë fytyrën e saj të vërtetë, që është për paqe e për bashkëpunim dhe për fqinjësi të mirë, dhe natyrisht që Kosova deri tash e ka dëshmuar duke qenë pjesë e dialogut të Brukselit, dhe ne nuk mund të bëjmë veprime të njëjta sikurse që i bën Serbia”, u shpreh Raci.
Ndërsa analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku konsideron se me këtë veprim, Serbia ka treguar se nuk është e gatshme për normalizim. Sipas Sadikut, numri dy i Qeverisë është dashur të marrë garanci nga ambasada amerikane në Beograd për këtë vizitë.
“Kjo tregon dy gjëra, e para tregon që Serbi ende nuk është e gatshme për normalizim të raporteve dhe në anën tjetër tregon pa përgjegjësi e zotrit Beslimi që, ka tregu një amatorizëm politik në kuptimin e vizitës së tij në Beograd. Ai do të duhet të dinte se para se të udhëtohej për Serbi duhet të merrte garancie nga ambasada e SHBA-së në Beograd dhe zyra e Brukselit se vërtetë a ka garancione te mjaftueshme se një delegacion i lartë i Kosovës të lëvizë për Serbi dhe te mos bije në lajthitje”, ka thënë ai.