UBT News

Ndalimi i punës së grave në OJQ nga talibanët godet ndihmën jetike për afganët

Gjatë muajit qershor të vitit të kaluar, një ekipi mjekesh dhe infermieresh iu deshën gjashtë orë me makinë nëpër male, shtretër lumenjsh të thatë dhe në rrugë të paasfaltuara për të arritur te viktimat e një tërmeti masiv që sapo kishte goditur Afganistanin lindor, ku mbetën mbi 1 mijë të vdekur.

Kur arritën atje, një ditë pas goditjes nga tërmeti, panë se burrat ishin trajtuar, por gratë jo. Në shoqërinë thellësisht konservatore të Afganistanit, gratë qëndruan brenda çadrave të tyre, në pamundësi për të dalë për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndihmë të tjera, sepse nuk kishte gra punonjëse ndihmëse.

“Kishte ende gjak mbi trupin e grave”, tha Samira Sayed-Rahman, nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit.

Vetëm pasi ajo takoi pleqtë vendas për t’u treguar për ardhjen e një ekipi mjekësor me femra, gratë dolën për të marrë trajtim.

“Kjo nuk është vetëm situata në emergjenca; në shumë pjesë të vendit, gratë nuk dalin për të marrë ndihmë”, tha ajo.

Sayed-Rahman tha se ky është një shembull që tregon se sa jetike janë gratë punonjëse për operacionet humanitare në Iran, dhe tregon pasojat që do të vijnë pasi talibanët ua ndaluan grave afgane të punojnë në organizata joqeveritare.

Vendimi për ndalim, që u shpall më 24 dhjetor të vitit 2022, detyroi pezullimin e shumë operacioneve humanitare nga organizatat që thanë se nuk mund dhe nuk do të punojnë pa punonjëse femra. Agjencitë e ndihmës paralajmërojnë se qindra mijëra njerëz janë tashmë të prekur nga ndalimi i shërbimeve dhe se nëse ndalimi vazhdon, pasojat e tmerrshme dhe madje vdekjeprurëse do të rriten edhe më shumë te popullsia që u godit nga dekada të luftës, përkeqësim të kushteve të jetesës dhe vështirësive ekonomike.

Agjencitë e ndihmës dhe OJQ-të e kanë mbajtur Afganistanin gjallë qëkur talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021. Rikthimi në pushtet i talibanëve shkaktoi një ndalesë të financimit ndërkombëtar, një ngrirje të rezervave valutore dhe një ndërprerje nga bankat globale, duke shembur ekonominë tashmë të brishtë.

Pas ndalimit, 11 grupe të mëdha ndërkombëtare humanitare së bashku me disa më të vogla pezulluan plotësisht operacionet e tyre, duke thënë se nuk mund të operojnë pa punëtoret e tyre gra. Shumë OJQ të tjera kanë reduktuar punën e tyre në mënyrë dramatike.

UN Women njoftoi se pas pezullimit të operacioneve nga 151 OJQ vendase dhe ndërkombëtare, vetëm 14% ishin duke funksionuar me kapacitet të plotë./UBTNews/

Exit mobile version