Banka Qendrore e Kosovës me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese në mënyrë të thjeshte dhe të kuptueshme për qytetarët e Kosovës, ka lëshuar në funksion linjën pa pagesë 0800 222-55.
Në njoftim thuhet se kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht.
“Përkujtojmë se Rregullorja për Operacione për Para të Gatshme: Nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara; Nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK; Nuk ndalon transferet nga asnjë shtet; dhe nuk ndalon posedimin dhe kursimin ne asnjë valute jo-euro (përfshirë dinarin)”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, të gjithë individët kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në euro.
“Qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, vetëm në katër komunat veriore operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.