Partitë pro-evropiane në Rumani kanë deklaruar se kanë arritur një marrëveshje për krijimin e një shumice qeverisëse, një lëvizje që mund të kufizojë ambiciet e së djathtës ekstreme.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, 4 partitë u shprehën se do të mbështesin një qeveri pro-evropiane dhe një kandidat të përbashkët pro-evropian për presidencialet.
Partia e majtë social-demokrate fitoi shumicën e mandateve në zgjedhjet parlamentare të 1 dhjetorit, që çuan edhe në krijimin e 3 grupimeve ultranacionaliste, disa prej të cilave pro-ruse, që fituan mbi një të tretat e mandateve.
Votimi për parlamentaret u zhvillua mes dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale, gjatë të cilave kandidati kritik ndaj NATO-s, Calin Georgesku doli nga terri politik për t’u bërë kryesuesi i garës.
Kjo çoi në ngritjen e akuzave për ndërhyrje nga Rusia përpara se Gjykata Kushtetuese e vendit të anulonte raundin e parë të presidencialeve dhe të deklaronte se i gjithë procesi duhej përsëritur.
Qeveria e re duhet të dalë me një kalendar të ri për zgjedhjet për kreun e shtetit, që me gjasë do të jetë në 2025-n.
Presidenti në ikje, Klaus Iohanis, që do të qëndrojë në detyrë derisa të betohet pasardhësi i tij, do të caktojë një kryeministër. Mandati i legjislaturës aktuale skadon më 21 dhjetor.