Producenti i njohur amerikan i muzikës, Clive Davis, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare në Nju Jork, sipas raportimeve të mediave amerikane që citojnë familjen e tij.
Sipas raportimeve, Davis kishte qenë i shtruar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, ai luajti një rol të rëndësishëm në zbulimin dhe promovimin e disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë muzikore, përfshirë Whitney Houston, Barry Manilow, Janis Joplin, Santana, Bruce Springsteen, Billy Joel, Pink Floyd, Patti Smith, Alicia Keys dhe Aerosmith.
Me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Davis organizoi një festë të madhe në Nju Jork me pjesëmarrjen e shumë figurave të njohura të botës së artit dhe muzikës.
I lindur në vitin 1932 në Bruklin të Nju Jorkut, Davis fillimisht punoi si avokat, përpara se të hynte në industrinë muzikore përmes kompanisë “Columbia”, ku nisi rrugëtimin që do ta shndërronte në një nga producentët më me ndikim në historinë e muzikës moderne.
Fitues i shumë çmimeve Grammy dhe anëtar i Rock and Roll Hall of Fame që nga viti 2000, Clive Davis lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në industrinë muzikore botërore.
Nga jeta private, ai kishte katër fëmijë nga dy martesa që përfunduan me divorc.
/A.K/
