Aktorja, shkrimtarja dhe këngëtarja e njohur franceze, Marina Vlady, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, ka bërë të ditur familja e saj.
Familjarët njoftuan se Vlady u nda nga jeta në shtëpinë e saj, e rrethuar nga njerëzit e afërt dhe kafshët e saj.
Marina Vlady ishte një prej figurave të njohura të kinemasë franceze dhe italiane. Ajo e nisi karrierën në moshë shumë të re, me filmin “Avant le déluge” në vitin 1954, ndërsa në moshën 16-vjeçare fitoi çmimin Suzanne Bianchetti si një prej aktoreve më premtuese.
Në vitin 1963, ajo fitoi çmimin për interpretim në Festivalin e Kanës për filmin “Le Lit conjugal”.
Gjatë karrierës së saj, Vlady luajti në më shumë se 80 filma dhe bashkëpunoi me regjisorë të njohur, përfshirë Jean-Luc Godard, Orson Welles, Bertrand Tavernier, Chris Marker dhe Ettore Scola.
Përveç aktrimit, ajo u mor edhe me letërsi dhe muzikë. Vlady botoi rreth 10 libra, ndër ta kujtimet “24 images/secondes”, të publikuara në vitin 2005.
Një pjesë e rëndësishme e jetës së saj ishte edhe lidhja me këngëtarin dhe poetin rus Vladimir Visocki. Ata u martuan në vitin 1969 dhe Vlady jetoi për një periudhë në Moskë. Marrëdhënien e tyre ajo e përshkroi në librin “Vladimir ou le vol arrêté”, botuar në vitin 1987.
Fëmijët e saj e kanë përshkruar jetën e artistes si “të gjatë, të bukur dhe të mbushur plot”./A.K/
