Murgesha franceze, Motra Andre, e cila u shpall nga Rekordi Botëror Guinness prillin e kaluar si personi më i vjetër i gjallë në botë, ndërroi jetë të martën, më pak se një muaj para se të mbushte 119 vjeç.
Ajo vdiq teksa po flinte në gjumë në shtëpinë e të moshuarve në Toulon, citohet të ketë thënë zëdhënësi i saj.
Lucile Randon, e lindur më 11 shkurt të vitit 1904 në një familje protestante në Francën jugore, u konvertua në katolicizëm në moshën 26-vjeçare dhe iu bashkua urdhrit “Bijat e Bamirësisë” të murgeshave në moshën 41-vjeçare.
Motra Andre lindi po të njëjtin vit që u hap metroja e New Yorkut dhe një dekadë para se të fillonte Lufta e Parë Botërore.
Në fillim të vitit 2021, ajo u infektua me COVID-19, si pasojë e shpërthimit të virusit në shtëpinë e të moshuarve.
Ajo u rendit si personi më i vjetër i gjallë në prill të vitit të kaluar, pas vdekjes së japonezes Kane Tanaka në moshën 119-vjeçare.
Motra Andre u tha gazetarëve vitin e kaluar se puna dhe kujdesi për të tjerët ishte sekreti i jetës së saj të gjatë.
“Njerëzit thonë se puna vret, por mua puna më mbajti gjallë, vazhdova të punoja deri në moshën 108-vjeçare”, citohet të ketë thënë ajo.
Ajo hodhi poshtë kërkesën për të analizuar mostrat e saj të ADN-së, duke thënë se për sekretin e jetëgjatësisë së saj vetëm “Zoti e di mirë”./UBTNews/