David Clayton-Thomas, këngëtari kanadez dhe frontmeni i grupit legjendar Blood, Sweat & Tears, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Fituesi i çmimit Grammy u nda nga jeta në mënyrë paqësore të mërkurën në një spital në Toronto, ka bërë të ditur publicisti i tij, Eric Alper. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.
Clayton-Thomas ishte një nga zërat më të njohur të muzikës jazz-rock dhe interpretoi hite si “You’ve Made Me So Very Happy”, “And When I Die” dhe “Spinning Wheel”. Gjatë karrierës së tij shiti mbi 40 milionë disqe dhe konsiderohet një nga artistët që ndikoi në zhvillimin e këtij zhanri muzikor.
Ai iu bashkua grupit Blood, Sweat & Tears në vitin 1968. Albumi me të njëjtin emër u shit në mbi 10 milionë kopje në mbarë botën, qëndroi shtatë javë në krye të klasifikimit Billboard dhe fitoi pesë çmime Grammy, përfshirë edhe çmimin për Albumin e Vitit, duke lënë pas edhe albumin Abbey Road të The Beatles.
Në vitin 1970, grupi u bë formacioni i parë rock që zhvilloi një turne në Evropën Lindore, pas një kërkese të Departamentit Amerikan të Shtetit. Më vonë u zbulua se Clayton-Thomas ishte përballur me një ultimatum për ta zhvilluar turneun në këmbim të qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.
Ai u largua nga grupi në vitin 1972 për shkak të lodhjes nga turnetë e shumta, por më vonë publikoi mbi një duzinë albumesh solo dhe iu rikthye Blood, Sweat & Tears në fillim të viteve 1980.
David Clayton-Thomas lë pas dy vajzat e tij, Ashleigh Clayton-Thomas dhe Christine Graham. Sipas publicistit të tij, në një datë të mëvonshme do të organizohet një koncert përkujtimor në nder të jetës dhe muzikës së tij, ndërsa të ardhurat do t’i dedikohen organizatës bamirëse Peacebuilders Canada. /A.K/
