UBT News

Ndahet nga jeta aktorja Joy Harmon, e njohur për rolin në “Cool Hand Luke”

Aktorja amerikane Joy Harmon ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Sipas mediave amerikane, ajo vdiq në shtëpinë e saj në Los Anxhelos, pas disa javësh përballje me pneumoni.

Harmon u bë e njohur për një skenë të shkurtër, por shumë të komentuar në filmin klasik “Cool Hand Luke”, ku luante përkrah Paul Newman. Edhe pse personazhi i saj nuk kishte asnjë replikë dhe qëndronte në ekran vetëm për disa minuta, skena e saj gjatë larjes së një makine u bë një nga momentet më të paharrueshme të filmit.

E kredituar thjesht si “The Girl”, personazhi i saj u quajt “Lucille” nga një prej të burgosurve në film. Kjo paraqitje mbeti momenti më i njohur i karrierës së saj artistike.

Në një intervistë të vitit 2017, Harmon kishte deklaruar se nuk ishte e vetëdijshme për nëntekstin që u interpretua nga publiku në atë skenë, duke theksuar se thjesht kishte tentuar ta realizonte rolin në mënyrë natyrale.

Karriera e saj përfshiu 32 role në filma dhe televizione nga vitet ’50 deri në fillim të viteve ’70. Ajo u shfaq gjithashtu në seriale të njohura si “Bewitched”, “Batman”, “The Man from U.N.C.L.E.”, “The Beverly Hillbillies”, “The Odd Couple” dhe “The Monkees”.

Pas tërheqjes nga aktrimi, Harmon punoi në Disney Studios dhe më vonë, në vitin 2003, hapi një furrë buke në Los Anxhelos.

Joy Harmon lë pas tre fëmijë dhe nëntë nipër e mbesa.

Exit mobile version