Janë ndarë 150 mijë euro për trajtimin dhe rregullimin e ujësjellësit për fshatrat në komunën e Deçanit. Në mbledhjen e Qeverisë u tha se një numër i mostrave të qytetarëve të helmuar në këtë komunë do të dërgohen jashtë vendit.
Udhëheqësi i mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se të gjitha institucionet përgjegjëse janë mobilizuar për t’iu dal në ndihmë qytetarëve të Deçanit.
“Lidhur me rastin e komunës së Deçanit bashkëndjejmë helmimin e qytetarëve dhe dje atje ishin edhe ministrat Gërvalla, Vitia e Mehaj. Kemi siguruar resurset e nevojshme për Qëndron e Mjekësisë Familjare. Gjatë fundjavës janë mobilizuar të gjitha ekipet për katër ditë me radhë. IKShPK-ja vazhdon hulumtimin në terren. Nga barnatorja e QKUK ka shkuar një kontingjent i barnave për Deçan”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se do ta procedojnë shumë shpejtë kërkesën.
“Kemi pasë kërkesë që të ndajmë mjete dhe besoj që shumë shpejt do ta procedojmë”.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se disa analiza janë dërguar jashtë vendit.
“Me të bërë listën me materiale për nevojat e pacientëve të prekur menjëherë kemi reaguar. Një pjesë është dërguar dje dhe do të vazhdojmë më dërgime tjera sipas nevojës. Janë bërë disa analiza shtesë dhe janë dalë negative për virozë, kurse disa të tjera të marra sot janë dërguar jashtë vendit për identifikim”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla, tha se policia është mobilizuar menjëherë në momentin që ka marr informaione për të helmuarit.
“Qysh në momentin e parë policia në Deçan është koordinuar me prokurorinë në Pejës dhe është iniciuar si rast. Në vazhdimësi ne jemi mobilizuar për të asistuar policinë për zbulimin e shkaktarëve”.
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se kanë ndarë 150 mijë euro për trajtimin dhe rregullimin e ujësjellësit për fshatrat në komunën e Deçanit.