Një varr masiv që përmban 17.5 ton hi njerëzor është zbuluar në veri të Polonisë, afër ish-kampit nazist të përqendrimit të Soldaut.
Tomasz Jankowski nga Instituti Kombëtar i Kujtesës së Polonisë tha se varri përmban të paktën 8 mijë viktima. Trupat mendohet se janë gërmuar dhe djegur në një operacion nazist për të fshehur gjurmët e vrasjeve të tyre.
Nazistët vranë hebrenj, kundërshtarë politikë dhe anëtarë të elitës polake në Soldau. Kampi i përqendrimit u ndërtua në vitin 1939 për tranzit, internim dhe shfarosje dhe u përdor gjatë gjithë pushtimit nazist.
Deri në 30 mijë njerëz mendohet se janë vrarë atje dhe studiuesit shpresojnë të kryejnë analizën e ADN-së të mbetjeve për të zbuluar më shumë rreth viktimave. Ndër polakët që u vranë ishin anëtarë të klerit dhe inteligjencës.
Arkeologët kanë gjetur qindra gjurmë veshjesh, butonash dhe sendesh të tjera, por asgjë me vlerë, që tregon se trupat ishin grabitur përpara se të digjeshin./UBTNews/