Alexey Navalny, politikani më i shquar i opozitës ruse, po vuan nga një sëmundje misterioze në burg dhe ka humbur 8 kg në pak më shumë se dy javë, ka thënë zëdhënësja e tij.
Një ambulancë u thirr për Navalny-n të shtunën në koloninë penale të sigurisë maksimale IK-6 në Melekhovo.
Kira Yarmysh, zëdhënësja e tij, tha në një videoklip në Twitter se ai kishte pasur një problem me stomakun të premten dhe mjekët e burgut e kishin trajtuar atë në të kaluarën me ilaçe të cilat ata kishin refuzuar ta identifikonin.
“Ne nuk e përjashtojmë që pikërisht në këtë kohë, Alexey Navalny po helmohet ngadalë, po vritet ngadalë në mënyrë që të tërheqë më pak vëmendje”, tha Yarmysh.
“Ai po mbahet në një qeli dënimi me dhimbje akute pa ndihmë mjekësore” tha ajo.
Kur u pyet për një helmim të mundshëm të Navalny-t, Kremlini tha se nuk po ndiqte gjendjen e tij shëndetësore, gjë që ishte një çështje e shërbimit federal penitenciar.
Navalny, i cili po vuan dënime të kombinuara prej 11.5 vjetësh për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës, tha përmes Twitter të martën se ai ishte kthyer në izolim dhe ishte detyruar të duronte kushte “jashtëzakonisht djallëzore”.
Qeveria gjermane tha të mërkurën se ishte e shqetësuar për përkeqësimin e shëndetit të Navalny./UBTNews/