NATO po trajton “shqetësimet” e Turqisë për ofertën e Suedisë dhe Finlandës në NATO, tha të enjten Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg.
Kjo vjen pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia “do t’i thotë jo hyrjes së Suedisë dhe Finlandës në NATO”, duke përsëritur të njëjtin qëndrim që mbajti javën e kaluar. Në fillim të kësaj jave, Erdogan akuzoi të dy vendet për strehimin e “organizatave terroriste” kurde.
“Ne jemi në kontakt të ngushtë me Finlandën, Suedinë dhe Turqinë dhe gjithashtu me aleatë të tjerë,” tha Stoltenberg duke folur së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen në Kopenhagë.
“Sigurisht, ne po adresojmë shqetësimet që Turqia ka shprehur” për të gjetur “një marrëveshje se si të ecim përpara”, tha Stoltenberg./UBTNews/