NATO po planifikon të rrisë praninë e trupave të saj në krahun lindor pranë Ukrainës, bëjnë të ditur burime pranë aleancës ushtarake perëndimore.
Pavarësisht nga kërkesat e Moskës për të bërë pikërisht të kundërtën, 30 anëtarët e aleancës nënshkruan një propozim mbi këtë temë pas javë diskutimesh.
Pas aneksimit të territorit ukrainas të Krimesë nga Moska në vitin 2014, NATO ka dislokuar katër grupe beteje të forcave shumëkombëshe në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni, raporton atsh.
Me mbi 100 mijë trupa ruse të vendosura tani pranë kufijve të Ukrainës dhe frikën e një pushtimi në rritje, planet janë duke u zhvilluar për të vendosur më shumë trupa të NATO-s aty pranë në shtete si Rumania.
Vendimi duhet të konfirmohet dhe të shpallet në një takim të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel javën e ardhshme.
Presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar NATO-s të anulojë zgjerimin e saj drejt Lindjes.
Qeveria ukrainase, e cila ka luftuar forcat separatiste të mbështetura nga Rusia në rajonin lindor të Donbasit që nga viti 2014, u ka bërë thirrje aleatëve të saj perëndimorë që të ndihmojnë në shmangien e një pushtimi.
Sllovakia dhe Bullgaria gjithashtu mund të presin trupat e NATO-s. Franca ka ofruar tashmë të udhëheqë një grup luftarak të NATO-s në Rumani.
“Shumë aleatë të tjerë janë të gatshëm të kontribuojnë”, theksoi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Hungaria gjithashtu, në krahun lindor të aleancës, theksoi se nuk e sheh nevojën për të pritur forcat e NATO-s.