UBT News

NATO pa SHBA po praktikon vendosjen e shpejtë në Evropën Lindore

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) ka nisur stërvitjet gjashtëjavore “Steadfast Dart 2025”, që po zhvillohen në Bullgari, Rumani dhe Greqi, duke testuar aftësinë e saj për t’u vendosur me shpejtësi në Evropën Lindore pa ndihmën drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara. Këto manovra, të cilat zhvillohen përpara përvjetorit të tretë të pushtimit rus të Ukrainës, përfshijnë rreth 10,000 ushtarë nga nëntë shtete dhe janë operacioni më i madh i planifikuar nga NATO për këtë vit.

Në stërvitje, marrin pjesë forca nga Rumania, Bullgaria, Greqia, Italia, Sllovenia, Spanja, Turqia, dhe Mbretëria e Bashkuar. Operacioni është i udhëhequr nga Britania, me rreth 2,600 ushtarë dhe 730 automjete. Gjatë manovrave janë angazhuar gjithashtu 17 anije, mbi 20 avionë dhe 1,500 automjete.

Stërvitjet synojnë përmirësimin e gatishmërisë dhe kapacitetit të NATO-s për të reaguar shpejt në situata krizash, siç është lufta në Ukrainë. Megjithatë, mungesa e një kontributi të drejtpërdrejtë nga SHBA-të është e dukshme, duke pasur parasysh shqetësimet që po shprehin shtetet evropiane për mbrojtjen kolektive dhe mbështetjen nga administrata e re amerikane, e udhëhequr nga Presidenti Donald Trump.

Në një kohë kur administrata Trump ka shprehur interes për të negociuar drejtpërdrejt me Rusinë për çështjen e Ukrainës, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Pete Hegseth, theksoi në Bruksel se shtetet evropiane duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe të kontribuojnë më shumë në financimin e luftës në Ukrainë./UBTNews/

Exit mobile version