Rreth 200 pjesëtarë të Forcës Aleate të Reagimit të NATO-s do të dislokohen në Ballkanin Perëndimor nga 30 shtatori deri më 16 tetor për të kryer stërvitje që synojnë rritjen e gatishmërisë dhe mbështetjen e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në komunikatën për media të lëshuar nga KFOR-i thuhet se kjo është hera e parë që një njësi e ARF-së dislokohet që nga themelimi i saj në korrik të këtij viti.
“Një kontingjent ushtarak prej rreth 50 pjesëtarësh do të jetë në Kosovë dhe një nyje komanduese e përparme prej rreth 150 pjesëtarësh do të vendoset në Maqedoninë e Veriut. Personeli i dislokuar do të kryejë aktivitete stërvitore për të ruajtur nivelin e lartë të gatishmërisë dhe për të testuar aftësitë e tyre. Një pjesë e shtabit të ARF-së do të integrohet përkohësisht në strukturat komanduese dhe kontrolluese të misionit të KFOR-it, me detyrën për të identifikuar kërkesat e mbështetjes logjistike, infrastrukturore dhe operacionale për KFOR-in, në rast të një përforcimi të konsiderueshëm të qëndrimit të tij”, thuhet në komunikatë.
Ky dislokim i ARF-së, së bashku me vendosjen e vazhdueshme të Forcës Rezervë Strategjike (SRF) në Kosovë, dërgon mesazh të qartë të vendosmërisë dhe angazhimit të fortë të NATO-s për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.