UBT News

NATO-ja miraton forca shtesë për shkak të tensioneve në veri të Kosovës

NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.

“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës.

Tensionet në veri u rritën sërish nga 24 shtatori, kur grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet që pasuan mbetën të vrarë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Autoritetet kosovare fajësuan direkt Serbinë për sulmin, ndërsa Serbia drejtoi gishtin kah serbët e Kosovës.

Thirrje Prishtinës e Beogradit për dialog

Pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut të premten – ku u diskutua për situatën në Kosovë – aleatët shprehën “shqetësimin e thellë të tyre për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

“Që nga maji e kemi shtuar praninë e KFOR-it. Dje, më 28 shtator, Këshilli i Atlantikut të Veriut miratoi forca shtesë për zgjidhjen e situatës aktuale”, thekson deklarata, por nuk specifikon se sa forca shtesë janë miratuar.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht t’i ulin tensionet. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi i sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet po ashtu në deklaratë.

Sipas saj, Misioni i NATO-s në Kosovë vazhdon të punojë ngushtë me të gjithë aktorët relevantë në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe me komunitetin diplomatik.

“KFOR-i mban një prani të dukshme dhe të shkathët në të gjithë Kosovën. Ne gjithmonë do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë”, thuhet në deklaratën e aleancës ushtarake.

Në maj, dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën në Zveçan – komunë në veri të Kosovës – pasi u sulmuan nga disa protestues serbë që kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat në veri.

Asokohe, KFOR-i rriti praninë në Kosovë me rreth 700 ushtarë.

Exit mobile version