Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se forcat ruse janë duke u rigrupuar në Ukrainë për të rritur sulmet në lindje të shtetit.
Mbretëria e Bashkuar ka thënë se Rusia është duke dërguar mes 1,200 deri në 2,000 trupa, nga Gjeorgjia në Ukrainë, si përforcime.
Moska ka thënë të martën se do të zvogëlojë aktivitetet ushtarake në veri të Ukrainës dhe do të fokusohet në “çlirim” të rajonit Donbas në juglindje.
Stoltenberg ka thënë se synimi rus për të pasur rezultate ushtarake, nuk ka ndryshuar ende.
“Ne shohim bombardime të vazhdueshme të qyteteve dhe ne shohim se Rusia është duke ripozicionuar disa trupa, duke i lëvizur disa, me shumë mundësi që të rrisë përpjekjet në rajonin Donbas”, ka thënë ai.
“Në të njëjtën kohë, Rusia mban presionin mbi Kiev dhe qytete tjera. Ne mund të presim veprime tjera në kuadër të ofensivës”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL