Grumbullimi i fundit i trupave ruse pranë kufirit të saj me Ukrainën është “i madh dhe i pazakontë”, sipas NATO-s, përcjell UBT News.
Në fillim të këtij muaji, autoritetet në Kievit pohuan se rreth 90,000 ushtarë rusë dhe pajisje të rënda, duke përfshirë tanke, u ripozicionuan afër Ukrainës, duke nxitur frikën për një pushtim të mundshëm.
Gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se aleanca mbetet vigjilente ndaj lëvizjes së fundit të Rusisë.
Ai tha se “çdo provokim ose veprim i mëtejshëm agresiv nga Rusia do të ishte një shqetësim serioz” dhe se Kremlini duhet të jetë “transparent në lidhje me aktivitetet e tij ushtarake”.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se njësi të ushtrisë ruse janë vendosur rreth 260 kilometra në veri të kufirit, transmeton UBT News.
Lufta në Ukrainën lindore, e cila filloi në vitin 2014, është një konflikt i vazhdueshëm midis ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet Donetsk dhe Luhansk.
Lufta shtatëvjeçare ka pasur më shumë se 100,000 viktima, ndërsa rreth 2,5 milionë ukrainas kanë kërkuar strehim ose në pjesë të tjera të vendit ose jashtë saj.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha: “Ajo që ne shohim tani është një situatë e përkeqësuar ku Rusia po demonstron se mund të aktivizojë shpejt trupat dhe pajisjet tashmë të grumbulluara dhe se çdo opsion, përfshirë atë ushtarak, është në tryezë për udhëheqësit rusë”.
NATO është e fundit në mesin e aleatëve perëndimorë të Ukrainës, të cilët kanë shprehur shqetësim për lëvizjen e fundit të trupave ruse.
Stoltenberg përsëriti të hënën se NATO nuk e pranon aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe u bëri thirrje autoriteteve në Moskë që t’i japin fund mbështetjes së saj për militantët në zonën e Donbasit./UBTNews/