UBT News

Nasuf Bejta kundërkandidat i Vjosa Osmanit për president

Nasuf Bejta pritet të jetë kundërkandidat i Vjosa Osmanit në garën për president të Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar vetë Bejta përmes një shkrimi në Facebook.

Bejta shkroi në Facebook se po kandidon për ta ndihmuar procesin, në mënyrë që shteti të ketë institucione stabile.

“Të dashur qytetarë, Kandidatura ime për president është në funksion të përmbylljes së procesit të konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Më 14 shkurt, qytetarët kanë vendosur në mënyrë plebishitare për koalicionin “Krejt dhe Drejt”. Unë thjesht po kandidoj për ta ndihmuar procesin, në mënyrë që shteti të ketë institucione stabile. Ky stabilitet është i mundshëm vetëm kur ta përmbyllim procesin me zgjedhjen e presidentit të vendit. Pra, unë po vihem në shërbim institucional për ta përmbyllë vullnetin e qytetarëve të shprehur më 14 shkurt. Për mua është nder që të jem në shërbim të interesit shtetëror. E ky vullnet konsiston që vendi të bëhet me president”, shkroi ai në Facebook.

Nasuf Bejta u lind më 3 nëntor 1960 në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Është inxhinier i diplomuar me përvojë 32-vjeçare në arsim, dhe aktualisht punon si mësimdhënës në SH.M.T. “Lutfi Musiqi” në Vushtrri.

Është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i kuvendit të nëndegës Smrekonicë, anëtar i kryesisë qendrore nga dega në Vushtrri në dy mandate, deri në vitin 2007 kur dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të konfrontimeve dhe politikave që ai i cilësonte si të dëmshme për Kosovën. Ka qenë bashkëpunëtor civilo-ushtarak gjatë luftës së fundit në Kosovë./UBTNews

Exit mobile version