Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka shpallur sot aktgjykimin në lidhje me ankesën e Nasim Haradinajt për shkeljen e të drejtave të tij gjatë gjykimit në Hagë.
Në aktgjykim, Dhoma Kushtetuese e shpalli një pjesë të ankesës së tij të papranueshme dhe hodhi poshtë pjesën tjetër, duke konstatuar se nuk kishte asnjë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore.
“Më 31 maj 2024, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi aktgjykimin në lidhje me kërkesën referuese të paraqitur nga Nasim Haradinaj, i cili pretendonte shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në kontekstin e procesit penal kundër tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktgjykim, Dhoma Kushtetuese e shpalli një pjesë të ankesës së tij të papranueshme dhe hodhi poshtë pjesën tjetër, duke konstatuar se nuk kishte asnjë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore. Haradinaj ishte ankuar se ishte shpallur fajtor mbi bazën e interpretimeve të gjera në mënyrë të papërligjur të tri dispozitave të Kodit Penal të Kosovës dhe se veprimet e tij nuk përbënin vepra penale në kohën e kryerjes së tyre. Në lidhje me këtë, Dhoma Kushtetuese konstatoi se Haradinaj nuk kishte shfrytëzuar si duhet të gjitha mjetet juridike të efektshme sipas ligjit për dy prej pretendimeve të tij dhe e shpalli ankesën pjesërisht të papranueshme”, thuhet mes tjerash në reagim.