Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL), Nasim Haradinaj më 8 janar të vitit 2021 do të dalë para Speciales. Kjo tashmë është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara.
“Paraqitja e mëtejshme e Nasim Haradinajt është caktuar për datën 8 janar 2021 në orën 15:00”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Sipas të njëjtit njoftim, gjatë seancë së parë Haradinajt do t’i kërkohet të vetëdeklarohet për fajësinë apo pafajësinë në lidhje me akuzat kundër tij të paraqitura në aktakuzë.
“Gjatë pjesës së parë të seancës, Haradinaj do t’i kërkohet të vetëdeklarohet fajtor ose i pafajshëm në lidhje me akuzat kundër tij të paraqitura në Aktakuzën e konfirmuar, në përputhje me rregullën 92(2)(c) të Rregullores. Nëse i akuzuari nuk vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, gjykatësi i procedurës paraprake bën deklarim pafajësie në emër të të akuzuarit, në përputhje me rregullën 92(2)(f) të Rregullores. Pjesa e dytë e seancës do të shërbejë si konferencë e parë për ecurinë e çështjes. Këtu do të gjeni urdhrin për caktimin e datës së kësaj seance”, thuhet në njoftim.