NASA prezantoi imazhin e parë me ngjyra nga teleskopi hapësinor, James Webb të hënën, duke e quajtur atë imazhin më të thellë dhe më të mprehtë infra të kuqe të universit të largët deri më sot.
Imazhi që tregon një grumbull galaktikash është një përbërje e thellë e fushës që tregon grupin galaktik SMACS 0723 siç u shfaq 4.6 miliardë vjet më parë, tha agjencia hapësinore amerikane.
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden publikoi imazhin, të parën e një grupi, në një ngjarje paraprake në Shtëpinë e Bardhë me Zëvendës Presidenten, Kamala Harris.
Pjesa tjetër e imazheve të para me ngjyra të teleskopit pritet të publikohen të martën. Ata janë përzgjedhur nga përfaqësues të agjencive të ndryshme hapësinore të përfshira në projekt.
E ashtuquajtura Mjegullnaja Carina, një lloj reje gazi e vendosur rreth shtatë mijë e 600 vite dritë larg dhe WASP-96 b, një planet gjigant gazi jashtë sistemit tonë diellor janë ndër objektet kozmike që mund të shihen në imazhe, sipas një deklarate të NASA-s.
Publikimi i imazheve shënon fillimin e punës shkencore me Webb, teleskopin më të madh dhe më të fuqishëm të lëshuar ndonjëherë në hapësirë.
Teleskopi James Webb u lëshua në 25 dhjetor në bordin e një mjeti lëshues Ariane nga porti kozmik Kourou i Agjencisë Evropiane të Hapësirës në Guiana Franceze.
Shkencëtarët shpresojnë se imazhet e teleskopit do të japin njohuri për periudhën menjëherë pas Big Bengut rreth 13.8 miliardë vjet më parë.
Webb-it iu deshën rreth 30 vjet për t’u zhvilluar dhe kushtoi rreth 10 miliardë dollarë. Ai është pasardhësi i teleskopit Hubble, i cili ka qenë në përdorim për më shumë se 30 vjet. /UBTNews/