Agjencia hapësinore amerikane NASA ka vendosur të shtojë një mision shtesë në programin Artemis, përpara se të tentojë uljen e parë të astronautëve në Hënë pas më shumë se gjysmë shekulli.
Sipas planit fillestar, misioni Artemis II, i planifikuar aktualisht për në prill, do të dërgonte astronautë për një fluturim rreth Hënës, ndërsa ulja në sipërfaqe do të realizohej me misionin Artemis III në vitin 2028.
Me ndryshimin e ri, misioni Artemis III do të zhvillohet më afër Tokës. Në vitin 2027 një ekuipazh do të dërgohet në orbitën e ulët të Tokës për të praktikuar procesin e lidhjes me një modul uljeje në Hënë.
NASA theksoi se ky fluturim shtesë nuk do të ngadalësojë rikthimin në Hënë dhe se objektivi mbetet viti 2028 për një ose edhe dy ulje në Hënë, të planifikuara në misionet Artemis IV dhe Artemis V.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi gjatë një konference për media se vendimi për këtë hap shtesë është marrë për të shmangur intervalet shumë të gjata mes lëshimeve të misioneve.
Ai shtoi se fluturimi në orbitën e ulët të Tokës do të ndihmojë në testimin e teknologjisë dhe sistemeve përpara një uljeje të vërtetë në Hënë.
Ndërkohë, NASA dha edhe një përditësim për misionin Artemis II, i cili do të dërgojë katër astronautë për një fluturim rreth anës së largët të Hënës dhe më pas kthimin në Tokë.
Fillimisht lëshimi ishte planifikuar për në mars, por u shty pasi u zbulua një rrjedhje heliumi në raketën Space Launch System (SLS). Raketa është zhvendosur nga platforma e nisjes në ndërtesën Vehicle Assembly Building në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida për riparime.
Mundësia më e hershme për lëshim tani është në prill, por NASA tha se data e saktë do të varet nga koha që do të kërkojnë punimet teknike.
Ndryshimet e reja përbëjnë një riorganizim të rëndësishëm të programit Artemis. Isaacman tha se arkitektura aktuale e misioneve nuk ishte “një rrugë drejt suksesit”.
Ai theksoi se testimi i kapsulës Orion dhe i modulit të uljes në orbitën e ulët të Tokës do të ulte rreziqet përpara se astronautët të tentojnë uljen në Hënë.
Megjithatë, programi për rikthimin në Hënë përballet ende me një sfidë të madhe: moduli që do të dërgojë astronautët në sipërfaqen e Hënës nuk është ende gati.
Kompania SpaceX e Elon Musk ka kontratë për ndërtimin e këtij moduli, i cili pritet të dërgohet në Hënë me raketën Starship. Por vonesat në zhvillimin e Starship kanë bërë që NASA të kërkojë një plan të ri për të përshpejtuar procesin.
NASA gjithashtu i ka kërkuar kompanisë rivale Blue Origin, në pronësi të Jeff Bezos, të paraqesë një plan të përshpejtuar për një modul alternativ uljeje në Hënë.
Shtetet e Bashkuara po përballen me presion për t’u rikthyer në Hënë, pasi Kina synon të realizojë një ulje në sipërfaqen hënore deri në vitin 2030.
Të dy vendet planifikojnë të zbresin në polin jugor të Hënës dhe po garojnë për vendet më të përshtatshme për ndërtimin e bazave të ardhshme hënore.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
