UBT News

NASA: Hemisfera veriore e Tokës po errësohet më shpejt se ajo jugore

Qendra kërkimore Langley e NASA-s ka zbuluar se hemisfera veriore po humbet reflektimin e dritës më shpejt se ajo jugore, një ndryshim që mund të ndikojë tek reshjet dhe modelet e motit në dekadat e ardhshme.

Normalisht, ekziston një simetri mes dy hemisferave: ato reflektojnë pothuajse të njëjtën sasi të dritës së diellit në hapësirë.

Ky ekuilibër konsiderohet i çuditshëm, pasi hemisfera veriore ka më shumë tokë, qytete dhe ndotje, që teorikisht duhet të çojnë në një reflektim më të lartë të dritës, ndërsa hemisfera jugore, kryesisht oqeanike, është më e errët dhe thith më shumë rrezatim.

Megjithatë, studimi i fundit i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences tregon se ky ekuilibër po ndryshon.

Analiza e 24 viteve të të dhënave nga misioni CERES ka zbuluar se hemisfera veriore po thith më shumë dritë sesa ajo jugore – pra, po errësohet.

Ky ndryshim në ekuilibrin e energjisë së Tokës përshpejton ngrohjen globale, pasi çdo objekt që thith më shumë dritë rrit temperaturën e tij.

Kjo mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta tek reshjet dhe modelet e motit, duke ndikuar në klimën globale për dekadat e ardhshme. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version