NASA ka bërë zbulim të rëndësishëm në kërkimin për gjurmë jete jashtë Tokës. Roveri Perseverance, që eksploron Marsin që nga 2021, ka identifikuar komponime organike dhe minerale në kraterin Jezero, të cilat në Tokë lidhen shpesh me mjedise të favorshme për jetën mikrobike.
Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, përfshin molekula karboni, vivianit dhe greigit – elementë që mund të jenë të origjinës biologjike ose gjeokimike. Krateri Jezero u zgjodh si vendi i uljes së roverit, dikur ishte një pellg liqeni i ushqyer nga përrenj, një ambient i përshtatshëm për depozitimin e argjilave e mineraleve që ruajnë historinë klimatike dhe gjeologjike të Marsit.
Që prej mbërritjes, Perseverance ka mbledhur mbi 30 mostra të ruajtura për një mision të ardhshëm kthimi në Tokë.
Zbulimi lidhet me mostra nga rajoni Bright Angel, zonë me sedimente të kuqërremta, ku roveri më 2024 mori mostrën “Sapphire Canyon” që përmban gjurmë kimike të veçanta. Perseverance analizoi përbërjen e shkëmbinjve e ruajti pluhurin marsian për studime të mëtejshme.
Të dhënat tregojnë praninë e molekulave organike me bazë karboni, me minerale si vivianiti dhe greigiti, që në Tokë janë të lidhura me procese mikrobike në mjedise ujore. Shkencëtarët theksojnë se komponimet mund të kenë formë edhe nga reaksione jo-biologjike.
Shkencëtarët i përshkruajnë gjetjet si “biofishnkrita të mundshme”. Joel Hurowitz, autor i studimit, thotë: “Nuk mund të themi se kemi gjetur jetë në Mars, por është një hap i rëndësishëm që kërkon analiza të mëtejshme.”
Fotografi të formacioneve mikroskopike si “fara lulekuqeje” dhe “njolla leopardi” tregojnë përqendrime karboni e mineralesh që lidhen me aktivitetin mikrobik. Misioni drejtohet nga NASA në bashkëpunim me institucione nga e gjithë bota, përfshirë Institutin Kombëtar Italian për Astrofizikë (INAF), duke reflektuar rëndësinë globale të kërkimit astrobiologjik.
Qëllimi kryesor mbetet kthimi i mostrave në Tokë për studime më të thelluara, projekti Mars Sample Return është i vonuar për shkak të kostove të larta. Zbulimi i fundit mund të përshpejtojë këtë proces, i cili pritet të realizohet në vitet 2040.
Ky zbulim konsiderohet një nga të dhënat më premtuese që konfirmojnë ekzistencën e kushteve të favorshme për jetë në Mars në të kaluarën, duke hapur rrugë për studime të mëtejshme dhe eksplorim hapësinor.