Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ndodhet prej shtatë ditësh në Klinikën e Psikiatrisë, ka bërë të ditur drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri. Ai theksoi se Murseli do të qëndrojë aty deri në përfundimin e ekzaminimit të plotë dhe deri sa mjekët ta vlerësojnë të nevojshëm qëndrimin e tij.
Mëngjesin e së premtes, nën përcjelljen e Policisë, Murseli u dërgua në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe më pas u kthye në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
Më 4 qershor, trupi gjykues miratoi kërkesën e mbrojtjes së tij për të kryer ekzaminimin psikiatrik. Avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, argumentoi se Murseli ka shfaqur shenja të një gjendjeje psikiatrike të paqëndrueshme.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 qershor lëshoi urdhëresë zyrtare që Instituti të kryejë ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit.
Në seancën gjyqësore, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, me vlerë rreth 260 mijë euro.
Aktakuzës i shtohet se vrasjen e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve u ka porositur kryerjen e veprës kundrejt pagesës prej 30 mijë eurosh.
Në ditën e ngjarjes, sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga Tom Dodaj për 280 euro. Dodaj ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burg dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ndërsa fillimisht rasti u raportua si vrasje gjatë grabitjes.