Kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.
Lajmin e ka konfirmuar sot zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila ka bërë të ditur se Departamenti Special i Gjykatës Themelore dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër Krasniqit.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.K, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka bërë të ditur Gashi.
Më 19 prill, Prokuroria Speciale ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Një ditë pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Nagip Krasniqin.
Ndërkohë, më 25 prill Bordi i kompanisë publike të KEK-ut, ka pezulluar nga detyra e kryeshefit Nagip Krasniqin.
Edhe më 22 maj, kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit i ishte vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj.