Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e konfirmon qartë se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit të Kosovës bie mbi subjektet fituese të zgjedhjeve, veçanërisht mbi tre partitë më të mëdha që duhet të kenë përfaqësuesit e tyre në Kryesi.
“Besoj ajo që është e qartë është se VV-ja është munduar që ta trajtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në aspektin juridik. Vendimi e dëshmon edhe një herë atë që e kemi thënë – që konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e subjekteve fituese të zgjedhjeve, e veçmas tri subjekteve më të mëdha, të cilat do të kenë përfaqësuesit e tyre në Kryesi të Kuvendit,” tha Nagavci.
Ajo tha se nuk ka asnjë indikacion nga vendimi i Kushtetueses që votimi i fshehtë është në kundërshtim me Kushtetutën, duke lënë të kuptohet se ai do të përdoret sërish në përpjekjen për konstituim.
“Gjykata Kushtetuese askund nuk e ka cekur që votimi i fshehtë është kundërkushtetues. Besoj që edhe sot do të vazhdohet me të njëjtin votim,” u shpreh ajo.