Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se janë gjobitur shtëpitë botuese, ku kanë identifikuar rritje të çmimeve të teksteve për komunitetet.
Në seancë plenare, Arbërie Nagavci tha se nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga drejtoritë komunale për mospajisje me tekste shkollore.
“Ne kemi analizuar me kujdes të gjitha shqetësimet që kanë ardhur dhe kemi përcjellur situatën si qëndron në lidhje me çmimet e teksteve. Sepse pas rezultatit shumë të mirë që kemi pasur e për të cilin besoj që ju jeni të vetëdijshëm që për herë të parë në qeverinë Kurti ne kemi tekste për fëmijët e komuniteteve në gjuhën e tyre, tashmë duhet të kujdesemi që ata nuk diskriminohen edhe në lidhje me çmimet, respektivisht familjet e tyre. Për këtë arsye në bashkëpunim edhe me MINT-in, me inspektorët, e po ashtu edhe me autoritetin mbikëqyrës kemi pasur vizita në librari dhe kemi identifikuar shkeljet, e di që në disa raste tashmë janë shqiptuar dënimet ndaj shtëpive botuese të cilat nuk kanë respektuar legjislacionin në fuqi dhe do të merren veprime më tutje për secilin rast individual”, deklaroi ajo.