UBT News

Nagavci thotë se shkollat po fshehin rastet e dhunës

Në Ministrinë e Arsimit janë raportuar vetëm 20 raste të dhunës në shkolla, por në Policinë e Kosovës gjatë vitit 2021-2022 janë raportuar 200 raste.

Gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se janë buxhetuar pagat për 520 psikologë e pedagogë, por në institucione edukativo-arsimore janë vetëm 146. Ajo me këtë rast ka thënë se po fshihen rastet e dhunës në shkolla.

“Për fat të keq ende ekziston tendenca që të fshihen rastet e tilla me frikën se raportimi i rasteve do të bëjë përhapje të një paragjykimi se shkollat nuk janë aq të mira. Ndonëse janë bërë hapa pozitivë në raport me raportimin të rasteve të dhunës, në vitin 2018-2019 kemi pasur gjithsejtë 18 raste të raportuara, në vitin 2020-2021, 15 raste të raportuara. Gjatë vitit 2021-2022 në këtë sistem janë raportuar 20 raste. Ne mendojmë se nuk janë të raportuara mjaftueshëm. Madje me një konferencë të djeshme me komisionin nga përfaqësuesit e institucioneve të policisë u njoftuam se gjatë vitit të kaluar kanë qenë rreth 200 raste të raportuara”, ka thënë ajo.

Gjatë analizimit të buxhetit, Nagavci tha se kanë vërejtur se ani pse janë të buxhetuar pagat për 520 staf mbështetës, në shkolla ka numër të vogël të tyre.

“E kemi pranuar me shqetësim gjatë analizimit të buxhetit se ndonëse në buxhetin e Republikës së Kosovës janë të buxhetuar pagat për rreth 520 staf mbështetës, psikologë e pedagogë, për fat të keq në praktikë në institucionet tona edukativo-arsimore janë vetëm 146 staf profesional”, ka deklaruar ajo.

Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ministrja Nagavci ka njoftuar se kanë pasur një angazhim me inspektoratin e arsimit që të rritet mbikëqyrja dhe llogaridhënia.

“Në ministri janë vetëm 28 inspektorë që është tepër pak. Ne kemi bërë kërkesën për rritje. Tashmë janë aprovuar kërkesat për 83 inspektorë. Konkursi ka qenë i hapur, ka përfunduar faza e parë e konkursit të brendshëm. Pastaj do të vazhdojmë me fazat tjera të rekrutimit sa më parë të inspektorëve”, ka thënë ajo.

Më tej, ajo ka shtuar se janë në finalizim të grupit punues në mënyrë që të harmonizojmë veprimet për të ofruar ambient të sigurt për nxënësit në shkolla.

Exit mobile version