UBT News

Nagavci: Sot ka filluar procesi mësimor, shkollat po respektojnë masat antiCOVID

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se pas pushimit pranveror, sot ka nisur procesi mësimor në të gjithë vendin, teksa njoftoi se përjashtim bënë një shkollë në një fshat të Mitrovicës e që mësimi do të nis nesër.

Ajo bëri të ditur se për ciklet e ulëta mësimi është duke u zhvilluar me prezencë fizike në shkolla, ndërsa në nivelet tjera online. Nagavci tha se në fund të javës do të analizohet gjendja ku edhe do të vendoset se si do të vazhdojë procesi mësimor.

“Sot ka filluar periudha e tretë e vitit shkollor dhe mësimi i disa niveleve po mbahet me prezencë fizike në shkolla duke respektuar të gjitha masat antiCOVID. Sipas informatat që i kemi në ministri nga DKA mësimi ka filluar në te gjitha komunat, me përjashtim të një shkolle në Mitrovicë. Për klasat 6 deri në 9 mësimi po zhvillohet online dhe do të vazhdojë gjatë kësaj jave, sipas informatave mësimi po vazhdon online”, tha ajo.

E para e arsimit tha se MAShT-i ka ndërmarrë të gjitha masave sa i përket pajisjeve teknologjike që nxënësit të mbajnë mësimin online.

“Do të përcjellim si do të shkojë situata dhe do të vendosim”, tha ajo.

Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve ajo tha se kjo çështje po trajtohet me prioritet.

“Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, kjo do të trajtohen me prioritet duke i respektuar rekomandimet e organeve kompetenteve, duke pas parasysh se cilat janë prioritetet me vaksinimin e mësimdhënësve. Prioritet do të kenë ata që mund të jenë me sëmundje kronike, me moshë më të shtyrë dhe varësisht prej nevojave do të merren parasysh edhe vaksinimi për mësimdhënësit”, tha Nagavci në konferencën për media.

Lidhur me vaksinimin e mësimdhënësve, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj kërkoi nga Qeveria ta ketë prioritet vaksinimin e mësimdhënësve.

Exit mobile version