Në mbledhjen e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport projektligji për tekstet shkollore është votuar vetëm nga deputetët e pozitës, sepse opozita e ka bojkotuar mbledhjen. Sipas opozitës, ata nuk do të marrin pjesë në këtë komision për shqyrtimin e “Ligjit të kontrabanduar”.
Në këtë komision kanë kaluar vetëm disa amendamente të votuara nga mazhoranca, amendamente të cilat janë propozuar nga java e kaluar.
Ndërkaq pas dështimi të shqyrtimit të projektligjit për tekstet shkollore, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci tha se ky projektligj duhet të finalizohet sepse do të përmirësojë cilësinë e arsimit në vend.
Ministrja Nagavci ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që të përkrahin këtë projektligj sepse është interes i përgjithshëm.
“Siç thashë unë pres që të gjithë deputetët të japin mbështetje, sepse është një ligj i munguar për sa vite. Ligji i cili është ekzistues ka më shumë se një dekadë që është në përdorim ka qenë shumë i mangët, nuk ka i përfshi gjithë zhvillimet dhe ndryshimet që janë rezultat i kohës….. unë apeloj që të gjithë të mbështesim projektligjin dhe të na ndihmojnë që reformat në arsim të cilat unë besoj që kemi ose duhet të kemi qëllim të përbashkëta të gjithë. Të na bashkohen në këtë pikë. .. Interesat e mia, janë interesa që i shërbejnë, të përgjithshmes, qëllimi dhe synimi im si ministre që të përmirësoj cilësinë e teksteve mësimore, nuk ka asnjë dyshim që tekstet kanë nevojë të përmirësohen dhe PDK apo kushdo çoftë tjetër që synon që të punojë për të mirën e fëmijëve tonë, duhet të paraqesin argumente e jo shpifje. Ajo çka ne kemi bërë me këtë ligj është që si qeveri kemi arritur që të finalizojmë një ligj që për së paku dhjetë vite, e kanë nisur si punë e nuk e kanë finalizuar asnjë herë. Është më mirë që të na tregojnë cilat janë arsyet e tyre, cilat janë arsyet konkrete dhe jo të pengojnë punën në interes të mirës së përgjithshme…Sigurisht që kjo është punë e administratës ë kuvendit dhe unë pres që deputetët të cilët e kanë votuar projektligjin përfshirë grupet parlamentare, sepse LDK-ja e tha edhe në seancë ka jap votën për këtë ligj,. Procedurat se si janë tutje duhet të trajtohen nga administrata, obligimi jonë si ministri dhe qeveri ka qenë që të finalizojmë këtë projekt ligj, të votojmë në qeveri të sjellim në kuvend dhe unë si ministre kam marrë pjesë në mbledhjen e komisionit edhe në grupin punues dhe ka jap përgjigje në mënyrë që t kontribuoj në cilësinë e projektligjit, është një projektligj i mirë i cili mundëson ndryshimet të rëndësishme në tekstet shkollore”, tha Nagavci.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola theksoi se ky projektligj ka pasur vonesa në lexim të parë. Gola tha se projektligji për tekstet shkollore është një vendim institucional dhe i plotfuqishëm.
“Ne si komision nuk guxojmë që të ndalim automatizimin e kësaj procedure po duhet të procedojmë në përputhje me obligimet të cilat vijnë nga seanca plenare ose nga vendimet që nxirren nga kryetari që e reflektojnë seancën e asaj dite. Ne nuk guxojmë të preokupojmë ankesat e ngritura dhe më tepër nuk jemi adresa e duhur për ti trajtuar, është kabineti kryetarit edhe administrata e cila duhet të sqarojë dhe unë shpresoj që çdo gjë të shkojë në përputhje me procedurën për shkak se ajo artikulon vullnetin politik të deputetëve dhe e përligj çfarëdo përmbajtje ligjore e cila materializohet përmes projektligjit… Ne komunikojmë zyrtarisht dhe është në autoritetin e tyre për të vlerësuar dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të imponuar. … Për aq sa kam një vendim të plotfuqishëm çdo hamendësim na bllokon punën, hamendësimet edhe nëse ka ndonjë bazë për mua janë të parëndësishme, nëse kemi një vendim institucional i cili është i rregullt dhe reflekton në seancën e asaj ditë”, tha Gola.
Ndërsa, nuk u caktua ndonjë datë tjetër për mbledhjen e radhës së Komisionit për Arsim.