Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se nuk do të lejojë askënd ta shantazhojë në punën e saj si përgjegjëse e dikasterit të arsimit.
Duke folur për raportet me SBASHK-un, Nagavci në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për situatën e arsimit në pandeminë COVID-19, tha se testimi si instrument i vlerësimit të mësimdhënësve nuk parashihet me legjislacion në fuqi.
“Unë nuk shantazhoj askënd, po ashtu nuk ka asnjë person, asnjë organizatë që mund të më shantazhojë mua”, tha ajo.
Nagavci në foltoren e legjislativit tha se Qeveria Kurti 2 nuk do të bëjë ndërhyrje politike, sikur qeveritë e kaluara.
“Unë dhe qeveria jonë nuk do të jemi njëjtë sikur qeveritë e kaluara. Ne jemi të gatshëm, të përkushtuar për të punuar me të gjithë. Përkatësia partiake nuk është e rëndësishme. Por është problem kur personat jo kompetent për shkak të favoreve politike”, u shpreh Nagavci.
Ministrja e Arsimit tha se në fillimin e vitit të ri akademik do të jetë udhëzimi i ri administrativ që do të mundësojë që regjistrimi i studentëve për herë të parë të jetë pa pagesë.
“Në fillim të vitit të ri akademik ne do të jemi të gatshëm udhëzimin e ri administrativ që mundëson regjistrimin e studentëve për herë të parë që të jetë krejtësisht pa pagesë”, tha ajo.
Debati për arsimin në pandeminë COVID-19 është duke vazhduar në Kuvendin e Kosovës.