Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se deri tani kanë pranuar mbi 183 mijë aplikime nga prindërit për subvencionim të librave shkollorë, ku mbi 95 për qind prej tyre janë subvencionuar.
Gjatë debatit parlamentar në Kuvend për çështjen e furnizimit me libra shkollorë, Nagavci tha se i tërë ky proces po përfundon suksesshëm.
“Deri sot më 14 shtator 2023 janë pranuar 183 mijë e 349 aplikime. Prej tyre 109 mijë e 381 aplikime nga prindërit e nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e pestë, nga 128 mijë sa janë raportuar nga komunat se kanë nxënës në këtë nivel. Janë pranuar 73 mijë 963 aplikime për nxënësit e klasave gjashtë-nëntë për materiale shkollore prej totalit të deklaruar nga komunat 99 mijë e 770 nxënës. Deri më tani nga këto 183 mijë e 349 aplikime janë kryer subvencionet për 171 mijë e 500 prindër që kanë aplikuar. Pra më shumë se 95 për qind të subvencioneve të atyre që kanë aplikuar”, tha ajo.