Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se për vitin e ri shkollor një nga prioritet do të jetë siguria dhe krijimi i ambienteve të sigurta për fëmijët. Derisa ka folur për rastin e dhunimit seksual të 11-vjeçare nga Prishtina, Nagavci ka theksuar se dënon fuqishëm aktin e tillë. Ajo ka bërë thirrje për reagim institucional dhe ofrimin e shërbimeve për të miturën.
Në konferencën për media para fillimit të vitit të ri shkollor, ministrja Nagavci tha se siguria dhe krijimi i ambienteve të sigurta për fëmijët, do të jetë një nga prioritetet e ministrisë.
“Rishtazi e kemi finalizuar përgatitjet për fushatën e sensibilizimit për zbatimin e protokollit për parandalimin e dhunës dhe referimin adekuat të rasteve nga komunitetet tona shkollore. Më lejoni që nga këtu të ngre zërin për nevojën e angazhimit të gjithmbarshëm të të gjitha palëve në këtë drejtim. Secili nga ne kemi rol dhe përgjegjësi në edukimin e gjeneratave të reja që janë të afta ta parandalojnë dhunën që promovojmë aktivisht barazinë gjinore e sociale. Për ne si Ministri e Arsimit, në vitin e ri shkollor që po fillon, siguria dhe krijimi i ambienteve të sigurta për fëmijë tanë do të jetë një nga top prioritetet dhe do t’i kushtojmë një angazhim e përkushtim të plotë”, ka deklaruar ajo në konferencë për media.
Ajo në konferencën e ftuar për prezantimin e të dhënave para fillimit të vitit të ri shkollor, ka shprehur indinjatën, siç tha ajo, për rastin e dhunimit seksual të 11-vjecares nga pesë meshkuj.
“Duke shprehur indinjatën time të thellë për rastin e fundit brutal të dhunimit seksual të miturës 11-vjeçare nga pesë burra në Prishtinë. E dënoj fuqishëm aktin e tillë, duke bërë thirrje dhe duke pritur që reagimi i zinxhirit institucional të jetë i shpejtë dhe efikas në mbrojtjen e të miturës dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse në njërën anë, ashtu si dhe në zbatimin e procedurave ligjore për të dyshuarit në anën tjetër. Vajzat dhe djemtë tanë kanë të drejtë që të rriten në ambiente të sigurta dhe ne duhet t’u ofrojmë këtë siguri. Për ne si Ministri e Arsimit dhe për mua personalisht si ministre e Arsimit, është i pazëvendësueshëm roli i institucioneve edukativo-arsimore në zhvillimin e shoqërisë, ku fëmijët tanë ndihen të lirë, të sigurt dhe të barabartë pa asnjë dallim”, ka shtuar Nagavci.
Dyshohet se gjatë së shtunës, një 11-vjecare është dhunuar seksualisht për orë të tëra nga pesë meshkuj. Gjatë ditës do të protestohet me kërkesat për mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë.