UBT News

Nagavci: Nuk kemi të dhëna që ndonjë fëmije i është ndaluar vijimi i mësimit për shkak të shamisë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, që të ndryshojë udhëzimin administrativ të vitit 2010 për shkak të mossaktësimit për bartjen e shamisë në shkolla.

Mungesa e specifikimit me ligj për bartjen e shamive në shkolla sipas deputetëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, po lë jashtë bankave shkollore shumë vajza në komuna të ndryshme të Kosovës.

Lidhur me këtë, ministrja Nagavci tha se do të angazhohen që e drejta për shkollim të mos i mohohet asnjë fëmije, asnjë vajze, porse nuk specifikoi nëse mbështet apo jo bartjen e shamisë në shkolla.

Nagavci tha se prej marrjes së detyrës nuk kanë ndonjë statistikë dhe informatë për moslejimin e vajzave me shami për të gëzuar të drejtën e tyre për shkollim.

“Rezultatet janë larg pritjeve të dëshiruara. Nuk kemi ndonjë informatë për çështjen që ju e adresoni se ka ndonjë problem”, tha ajo.

Ministrja Nagavci tha se secili person gëzon të drejtën për shkollim me rregull dhe pa asnjë kufizim.

Kryetarja e Komisionit, Duda Balje tha se mungesa e një ligji ka bërë që të jetë kompetencë e drejtorëve të shkollave për të vendosur se a i lejon vajzat me shami në shkolla apo jo.

“Është shkelje e të drejtave nëse e ndalon një vajzë me shku në shkollë. Tani është uniforma, duhet me bisedu a është shamia pjesë e uniformës. Këto dëshirojmë me i specifiku më ligj dhe asnjë vajzë të mos mbetet jashtë shkollës”, theksoi Balje.

“Unë i kam emrat dhe mbiemrat dhe komunat ku drejtorët nuk kanë lejuar vajzat të vijojnë mësimin. Në çfarë baze kanë marrë të drejtën drejtorët, mos me i leju vajzat me shku në shkollë. Nëse Ministria nuk ka pasur nuk mundemi me e barazu telefonin me shami. Unë këtë nuk mundem me e pranu personalisht si femër në Kosovë. Ne jemi në Kosovë, 95 përqind e popullit është myslimane. Ne si Kosovë nuk kemi bërë mjaft për vajzat, femrat dhe nënat. Kemi diskriminuar këtë pjesë të shoqërisë”, tha Balje.

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi u interesua të marrë një përgjigje përfundimtare nga ministrja Nagavci lidhur me atë se a mbështet vijimin e mësimit të vajzave me shamia në shkollë.

“Mua më kanë shkruar disa vajza të nivelit të klasës së 5,6,7 që nuk janë leju të vijojnë mësimin në shkolla. Unë i kam dy pyetje: sa ankesa keni pranuar nga vajzat që nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë për shkak të shamisë dhe a do ta lejoni shaminë në shkolla […] A do të merrni ndonjë veprim ndaj këtyre drejtorëve që nuk i kanë leju vajzat me shku në shkollë”, tha ajo.

Nagavci kërkoi që të mos vijë askush në përfundim për diçka që nuk e ka thënë.

Kurse deputeti nga radhët e VV-së, Eman Rrahmani tha se e gjithë kjo problematikë vjen nga udhëzimi administrativ i vitit 2010, në kohën e ministrit Ramë Buja.

“Kërkesa jonë është që ky udhëzim administrativ të ndryshohet. Kjo nuk është që ka të bëjë me çështje fetare, por me çështjen e të drejtave të njeriut. Nëse e gjeni një shembull se ku është e ndaluar bartja e shamisë në shkolla në vendet e Evropës është mirë të na e sillni”, tha ai.

Exit mobile version