Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka deklaruar se janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale të partive politike në të gjitha nivelet e arsimit, e kjo sipas saj, ka ndikuar që rezultatet të mos jetë ato që dëshirohen në arsimin në Kosovë.
Nagavci teksa iu përgjigj kritikave të partive opozitare për organizimin e mësimit në pandemie për çka edhe po mbahet debat parlamentar, tha se arsimi është prioritet për qeverinë e Kosovës.
Ajo pajtohet se gjendja është larg rezultateve që të gjithë synojmë, por kjo është pasojë e ndërhyrjeve brutale të partive politike në të gjitha nivelet e arsimit.
“Janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale e partive politike në të gjitha nivelet e arsimit”, u shpreh Nagavci.
“Kjo është prioritet për qeverinë tonë dhe unë ju lus edhe një herë të gjithëve që të reflektoni për gjithë ndikimet që keni pasur në të kaluarën dhe të ndihmoni që me një kritike konstruktive dhe me një bashkëpunim të angazhohemi për të përmirësuar këto rezultate”, tha ajo.
Nagavci tha se shifrat e të infektuarve të mësimdhënësve e nxënësve tregojnë për menaxhimin relativisht të mirë të situatës nga komuniteti i shkollës, krahasuar me institucionet tjera.
Ajo tha se shkollat janë mbështetur me mjete mbrojtëse të mjaftueshme dhe janë pajisur me termometër.
Sa i përket përfshirjes së komuniteteve në sistemin e arsimi të lartë, Nagavci tha se në vazhdimësi po ofrojnë bursa për këto kategori.
“Në bashkëpunim me partnerët për vitin shkollor 2020/2021 janë ndarë 596 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian dhe e kemi po ashtu të hapur një konkurs për ofrimin e bursave për nxënësit që vijojnë mësimin në arsimin e lartë në shkollat profesionale”, tha ajo. /UBTNews