UBT News

Nagavci i përgjigjet SBASHK-ut: Nuk ka nevojë dhe as arsye për greva në arsim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologji dhe Inovacionit (MAShT), Arbërie Nagavci, për grevën e cila është paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë (SBAShK-u), konsideron se nuk është koha dhe s’ka arsye për një gjë të tillë.

Ministrja Nagavci në një konferencë për media theksoi se deklaratat e kreu të SBASHK-ut, Rrahman Jashari për grevën, janë “deklarata të përvitshme e të vazhdueshme’.

“Deklaratat e Jasharit për grevën, deklarata të përvitshme e të vazhdueshme. Konsideroj që nuk ka as kohë, nevojë e as arsye për grevë. Zëvendësministri është takuar me kryetarin e SBASHK-ut dhe me kolegët e tij para pak kohe. Ne kemi komunikim të vazhdueshëm jo vetëm me kryesinë e SBASHK-ut, por edhe me shkolla, me mësimdhënës, dhe i marrim me shumë seriozitet çdo bring apo shqetësim që mund të vij nga kush do qoftë”, theksoi Nagavci.

Zëvendësministri Taulant Kelmendi theksoi se ditë më parë ka takuar drejtuesit e SBASHK-ut, dhe sipas tij, nuk është paraqitur ndonjë ankesë për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore.

Ai theksoi se interes i SBASHK-ut, DKA-ve dhe i secilit punëtorë të arsimit është që nxënësit t’i kenë tekstet shkollore deri më 1 shtator kur fillon viti i ri shkollor.

“Në fund po e përmendi SBASHK-un meqë i kam takuar. Shqetësimi i SBASHK-ut fillestar ka qenë për furnizimin me tekste shkollore, nuk ka qenë si kushtëzim që nëse MASHT përdorë metodologji të caktuara, ata marrin hapa radikal, në këtë rast grevë. Mendoj se interes i SBASHK-ut, DKA-ve dhe i secilit punëtorë të arsimit është që nxënësit t’i kenë tekstet shkollore, ndërsa për metodologji ne kemi arsyetuar vazhdimisht që është e duhur dhe më transparente për furnizim me tekste”, theksoi ai.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që edhe këtë vit subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore dhe mjeteve shkollore do të mundësohet nga MSHHTI-i, sikur vitin e kaluar. Megjithatë, nuk e dinë se sa do të jenë çmimet e librave dhe as kosto e përgjithshme që do t’i kushtojë ministrisë për këtë subvencionim./UBTNews/

Exit mobile version